BE pezullon tarifat hakmarrëse ndaj SHBA-ve
Bruksel, 10 Prill (Hibya) – BE-ja pezulloi tarifat hakmarrëse ndaj SHBA-ve për të "dhënë një mundësi negociatave".
Bashkimi Evropian pezulloi përkohësisht tarifat ndaj Shteteve të Bashkuara për të vazhduar negociatat për zgjidhjen e një konflikti që deri pak kohë më parë po shndërrohej në një luftë të plotë tregtare me administratën Trump.
Pezullimi do të jetë në fuqi për të paktën 90 ditë.
Tarifat hakmarrëse si përgjigje ndaj tarifave të Trump për çelikun dhe aluminin u miratuan të mërkurën nga vendet anëtare dhe përfshijnë produkte amerikane në vlerë rreth 21 miliardë euro, përfshirë sojën, bakrin, hekurin, motoçikletat, anijet dhe lëngun e portokallit.
Faza e parë e tarifave me vlerë 3.9 miliardë euro ishte planifikuar të hynte në fuqi më 15 prill.
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një deklaratë të shkurtër të enjten pasdite tha: “Duam t’u japim një shans negociatave. Ndërsa përfundojmë miratimin e masave hakmarrëse të BE-së, që gëzojnë mbështetje të fortë nga vendet tona anëtare, do t’i pezullojmë ato për 90 ditë. Nëse negociatat nuk janë të kënaqshme, masat tona hakmarrëse do të hyjnë në fuqi.”
Albania News Agency Albania News Agency