80-vjetori i fitores së rezistencës së popullit kinez u përkujtua në Stamboll
Konsullata e Përgjithshme e R.P. të Kinës në Stamboll në bashkëpunim me Fondacionin e Grupit Marmara organizuan më 26 gusht në Stamboll një ceremoni përkujtimore me temë “80-vjetori i Fitores së Popullit Kinez në Luftën e Rezistencës dhe i Fitores në Luftën Botërore Anti-Fashiste”.
Programi filloi në orën 15:30 në vilën historike Sait Halim Pasha me një ekspozitë fotografike mbi pushtimin japonez. Pas hapjes u zhvillua një seminar me pjesëmarrjen e Konsullit të Përgjithshëm të Kinës në Stamboll Wei Xiaodong, akademikëve, diplomatëve dhe liderëve të opinionit.
Wei theksoi rolin historik të Kinës në luftën e rezistencës, kontributin e saj në rendin ndërkombëtar pas luftës dhe zhvillimin e marrëdhënieve kino-turke. Ai vuri në dukje se gjatë 14 viteve rezistencë Kina humbi mbi 35 milionë njerëz dhe pësoi dëme ekonomike që kaluan 600 miliardë dollarë.
Konsulli theksoi se Kina ishte një nga themeluesit e rendit ndërkombëtar pas luftës dhe e OKB-së, duke kujtuar Deklaratën e Kajros dhe të Potsdamit si dhe Aktin e Kapitullimit të Japonisë që konfirmuan sovranitetin kinez mbi Tajvanin.
Ai përmendi gjithashtu se Kina është partneri më i madh tregtar i Turqisë në Azi dhe i dyti në botë, me një volum tregtar që arriti 48,3 miliardë dollarë në vitin 2024. U theksua rritja e bashkëpunimit në kuadrin e iniciativës “Një brez, një rrugë” dhe strategjisë së Korridorit të Mesëm, si dhe shtimi i fluturimeve javore në 98.
Wei tha se vizita e ardhshme e presidentit turk Rexhep Tajip Erdoğan në Kinë do t’i japë një shtysë të re marrëdhënieve mes dy vendeve. “Nuk mund ta ndryshojmë historinë, por mund të mësojmë prej saj”, tha ai.
Gjatë aktivitetit, prof. Nilüfer Narlı mbajti një fjalim me temë “Nga lufta në paqe: kontributet, sfidat dhe heshtjet e grave në Luftën e Dytë Botërore”. Mesazhe me video dërguan Sheihul-Islami i Azerbajxhanit Allahshukur Pashazade, ish-ministrja e jashtme e Austrisë Karin Kneissl dhe të tjerë.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe njohjen e rolit të Kinës në luftën antifashiste. Aktiviteti përfundoi me një koktej përkujtimor.
Albania News Agency Albania News Agency