Alarm për reshje të dendura dhe përmbytje në Kinë: Mijëra persona u evakuuan
Për shkak të reshjeve të dendura dhe përmbytjeve që po përkeqësohen në shumë rajone të Kinës, janë aktivizuar masat emergjente dhe mijëra persona janë evakuuar në zona të sigurta.
Sipas CCTV-së, reshjet e dendura dhe përmbytjet që kanë prekur shumë rajone të Kinës kanë çuar në marrjen e masave emergjente dhe evakuimin e mijëra banorëve.
Në Changchun, kryeqyteti i provincës verilindore Jilin, reshjet arritën në 32,2 milimetra në orë gjatë natës së së shtunës.
Përmbytjet prekën disa pjesë të qytetit, ndërsa autoritetet meteorologjike paralajmëruan për stuhi me bubullima dhe erëra të forta. U shpall alarmi i verdhë.
Në provincën Jilin u lëshuan gjithashtu paralajmërime për rrezikun e përmbytjeve të menjëhershme. Në qarkun Wangqing niveli i emergjencës u ngrit nga niveli IV në nivelin III.
Nga zonat me rrezik të lartë në 93 fshatra të tetë komunave u evakuuan 8.375 persona. Për mbrojtje u përdorën thasë me rërë dhe zhavorr.
Në provincën fqinje Heilongjiang, banorët e zonave të ulëta të qytetit Hailin u evakuuan gjithashtu pas disa ditësh reshjesh.
Rritja e nivelit të lumit Wuhulin shkaktoi shembjen e hyrjes së një ure, ndërsa ekipet e përforcuan zonën me gurë.
Në qytetin Longnan të provincës Gansu, reshjet e vazhdueshme shkaktuan grumbullim të madh uji dhe rritje të rrezikut nga fatkeqësitë dytësore. Deri në orën 16:00 të së shtunës, 6.127 persona u evakuuan në 54 strehimore të përkohshme.
Në bashkinë Chongqing, alarmi për reshjet u ngrit në nivelin portokalli dhe u aktivizua niveli IV i reagimit ndaj përmbytjeve.
Shumë rrugë u përmbytën, ndërsa ekipet filluan largimin e ujit dhe pastrimin e baltës.
Meteorologët njoftuan se reshjet do të vazhdojnë deri të martën dhe në disa zona mund të arrijnë 150–200 milimetra.
Në Kinë përdoret një sistem me katër nivele ngjyrash për paralajmërimet meteorologjike: i kuq, portokalli, i verdhë dhe blu. Sistemi i reagimit ndaj fatkeqësive gjeologjike gjithashtu përbëhet nga katër nivele, ku niveli I është më i larti.
Albania News Agency Albania News Agency