Deniz polisinden Adalar çevresinde 'deniz taksi' denetimi

Bisedimet pesëorëshe ndërmjet presidentit rus Vladimir Putin dhe negociatorit të lartë amerikan të caktuar nga presidenti Donald Trump duket se nuk prodhuan përparim drejt një marrëveshjeje paqeje për Ukrainën.

Zëdhënësi i Kremlinit tha se takimi në Moskë ishte “konstruktiv”, por disa pjesë të planit janë të papranueshme për Rusinë.

I dërguari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, iu bashkuan bisedimeve pas javësh të diplomacisë intensive për t’i dhënë fund luftës. Delegacioni amerikan nuk dha komente pas largimit nga Moska.

Më herët të martën, Putin tha se ndryshimet e propozuara nga Kievi dhe Evropa në planin e paqes të mbështetur nga SHBA janë të papranueshme, duke shtuar: “Nëse Evropa dëshiron të hyjë në luftë dhe e nis atë, ne jemi të gatshëm menjëherë”.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje për propozimin pas takimit, këshilltari i Putinit, Yuri Ushakov, tha se Kremlini “pajtohet për disa pika… por kritikon edhe disa të tjera”. Ai shtoi: “Ende nuk kemi paraqitur një version kompromisi… Ka shumë punë përpara”.

Moska dhe Kievi vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje të thella për çështje si dorëzimi i territoreve që Ukraina ende kontrollon dhe garancitë e sigurisë të ofruara nga Evropa.

Përpara takimit, Putin sulmoi ashpër liderët evropianë që kanë mbështetur përpjekjet mbrojtëse të Kievit që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në vitin 2022.

Ai tha se liderët evropianë janë të mashtruar në besimin se mund t’i shkaktojnë Rusisë një disfatë strategjike. Putin shtoi se “Rusia nuk planifikon të hyjë në luftë me Evropën, por nëse Evropa papritur dëshiron dhe nis luftën, ne jemi gati menjëherë”.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelensky tha se delegacioni amerikan do ta informojë për rezultatet e bisedimeve në Kremlin; ende nuk është e qartë nëse Witkoff dhe Kushner do të fluturojnë në Kiev apo drejt kryeqyteteve të tjera evropiane.

Shtëpia e Bardhë tha se propozimet janë “mjaft të rafinuara”, por detajet e planit të përditësuar ende nuk janë konfirmuar.

Ndërkohë që bisedimet vazhdonin të martën, Trump u tha anëtarëve të kabinetit të tij në Uashington se mosmarrëveshja nuk do të zgjidhet lehtë dhe e quajti situatën “kaos”.

Albania News Agency Albania News Agency

 

facebook sharing button Facebook
twitter sharing button Tweeter
whatsapp sharing button Whatsapp