Theks mbi bashkëpunimin strategjik në marrëdhëniet Kinë-Malajzi
Ministria e Jashtme e Kinës njoftoi se synon të forcojë harmonizimin e strategjive të zhvillimit me Malajzinë dhe të avancojë bashkëpunimin cilësor në kuadër të Nismës “Një Brez, Një Rrugë”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Guo Jiakun, bëri vlerësime mbi marrëdhëniet Kinë-Malajzi gjatë konferencës së rregullt për shtyp.
Guo deklaroi se Kina dhe Malajzia janë fqinjë të mirë, miq të mirë dhe partnerë të mirë, duke thënë se gjatë më shumë se 50 viteve që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, marrëdhëniet dypalëshe kanë vazhduar zhvillimin pozitiv dhe është shënuar përparim në bashkëpunimin në fusha të ndryshme. Guo tha se të dy vendet po ndërtojnë së bashku një komunitet strategjik Kinë-Malajzi me një të ardhme të përbashkët dhe standarde të larta.
Guo tha se pjesëmarrja e Kryeministrit të Malajzisë, Anwar Ibrahim, në Konkursin Botëror të Aftësive dhe Panairin Global të Tregtisë Digjitale pasqyron si lidhjet e ngushta dhe miqësore në marrëdhëniet Kinë-Malajzi, ashtu edhe bashkëpunimin në fushat përkatëse.
Guo tha se Kina shpreson të forcojë harmonizimin e strategjive të zhvillimit me Malajzinë dhe të avancojë bashkëpunimin cilësor në kuadër të Nismës “Një Brez, Një Rrugë”. Ai shtoi se presin forcimin e komunikimit dhe koordinimit për çështjet ndërkombëtare dhe rajonale, si dhe arritjen e përparimeve të reja në ndërtimin e komunitetit strategjik Kinë-Malajzi me një të ardhme të përbashkët dhe standarde të larta.
Konkursi i 48-të Botëror i Aftësive do të mbahet në Shangai nga 22 deri më 27 shtator, ndërsa Panairi i 5-të Global i Tregtisë Digjitale do të zhvillohet në Hangzhou, kryeqendra e provincës Zhejiang. Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, me ftesë të Kinës, do të marrë pjesë në ceremonitë e hapjes së të dy aktiviteteve.
Albania News Agency Albania News Agency