Në Itali, vrasja e grave do të dënohet me burgim të përjetshëm
Romë, 26 nëntor (Hibya) – Deputetët në parlamentin italian votuan unanimisht për miratimin e një ligji të veçantë që e dënon vrasjen e grave për shkak të gjinisë (femicide) me burgim të përjetshëm.
Me një gjest simbolik, projektligji u miratua në ditën kushtuar eliminimit të dhunës ndaj grave në mbarë botën.
Ideja e një ligji për femicidin ishte diskutuar edhe më parë në Itali, por vrasja e Giulia Cecchettin nga ish-i dashuri i saj u bë tragjedia që shtyu vendin të veprojë.
22-vjeçarja u vra me thikë në fund të nëntorit 2023 nga Filippo Turetta, i cili më pas e mbështolli trupin e saj në thasë dhe e hodhi buzë një liqeni.
Vrasja qëndroi në faqet e para derisa autori u kap, por reagimi i fuqishëm i Elenës, motrës së Giulias, e bëri ngjarjen simbol të ndryshimit.
Ajo deklaroi se vrasësi nuk ishte një përbindësh, por “biri i shëndetshëm i një shoqërie thellësisht patriarkale”. Këto fjalë nxitën protesta në gjithë Italinë që kërkonin ndryshim.
Dy vite më vonë, pas debatit të gjatë dhe të ashpër në parlament, deputetët miratuan projektligjin për femicidin. Ky ligj e rendit Italinë ndër vendet e pakta që e kategorizojnë femicidin si krim të veçantë.
Ligji, i paraqitur nga kryeministrja Giorgia Meloni, u mbështet si nga qeveria e saj e djathtë ekstreme, ashtu edhe nga deputetët e opozitës. Shumë prej tyre mbanin fjongo apo xhaketa të kuqe për të nderuar viktimat e dhunës.
Nga tani e tutje, Italia do të regjistrojë çdo vrasje të një gruaje për shkak të gjinisë së saj si “femicid”.
Albania News Agency Albania News Agency